Dëshmi nga Fushat e Vdekjes
Mar 2011 23

“Armiqtë e Popullit”, dokumentari tronditës mbi vrasjet e 2 milion njerëzve gjatë regjimit diktatorial në Kamboxhia, solli në Tiranë producentin Matthew Torne. Ai tregon si u gjetën dëshmitarët, si u realizua filmi dhe për censurën në Kamboxhia



Thet Sambath, gazetar i “Phnom Penh Post”, i kushton 10 vjet zbulimit të shkakut të vrasjes së 2 milion njerëzve në Fushat e Vdekjes, gjatë regjimit diktatorial të Kmerëve të Kuq (Khmer Rouge). Partia Komuniste Kampuchea drejtoi Kamboxhian në vitet 1975-1979, me udhëheqës Pol Potin dhe Nuon Chea.
Sambath ka humbur nënën, babanë dhe të vëllain në Fushat e Vdekjes, por ky fakt nuk e pengon gazetarin të hulumtojë me durim dhe profesionalizëm shkaqet e zhdukjes së njerëzve në këtë tragjedi. Gjatë një dekade, arriti të gjejë dëshmi nga burra dhe gra që në atë kohë “bënin vetëm detyrën” e deri te udhëheqësi ideologjik i partisë, Nuon Chea.

 

Sambath është i qartë që në zbulimin e kësaj historie “nuk bëhet fjalë për gazetarinë, por për historinë”. Punën kërkimore të Sambathit “e shfrytëzoi” në kohë regjisori dhe producenti anglez Rob Lemkin që i propozoi të realizonin një dokumentar.
“Armiqtë e Popullit” (Enemies of the People, 2009) u shfaq dy net përpara në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” në Tiranë, në prani të producentit ekzekutiv të filmit Matthew Torne. Filmi ishte tronditës dhe jo vetëm bën autopsinë e një regjimi diktatorial, por na jep të zhveshur natyrën njerëzore, marrëdhëniet e individit me pushtetin, vrasësit me viktimën, diktatorit në raport me kohën dhe veten, me paranojat.
Në ato fusha të mbjella me oriz, ndanë ujit të ndenjur, vrasësit tregojnë për llogoret, për varret masive, për torturat çnjerëzore. Sytë e Suonit nuk të shqiten kollaj nga kujtesa. As një deklaratë e tij: “Nuk kam për ta parë më dritën e diellit si qenie njerëzore në këtë jetë”. Është i penduar dhe e bren ndërgjegjja.
Të tjera dëshmi nga njerëz të zakonshëm: “Trupat e tyre të dekompozuar bënin një zhurmë si uji i zier”; “U mbaja erë duarve të mia dhe vinte era gjak. Në fushat e vdekjes, kutërbimi i erës së gjakut ishte i tmerrshëm.”
Në fund edhe Nuon Chea pranon vrasjet që janë kryer me justifikimin se vendi rrezikohej të merrej nga vietnamezët. Duhet të dënoheshin të gjithë ata që i dilnin kundër regjimit. Ish-diktatori shprehet: “E dua edhe kombin edhe individin. Nëse duhet të zgjedh, zgjedh kombin.”
Pas vendimit të Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kamboxhias për hapjen e gjyqeve për udhëheqësit e Kmerëve të Kuq, u hap dhe procesi ndaj Nuon Cheas më 2010.
Kur përballet me drejtësinë, ai shprehet: “E pranoj u mërzita. Kisha punuar 10 vjet”.
“Armiqtë e Popullit” është ndaluar të shfaqet zyrtarisht në Kamboxhia. Njerëzit e zakonshëm, ata që vuajtën dhe vuajnë ende nuk arritën ta shihnin dokumentarin që kudo ku është shfaqur është pritur ashtu siç mund të pritet një e vërtetë tronditëse.
Producenti ekzekutiv, Matthew Torne, që ishte i hapur për pyetje dy net më parë në Akademinë “Marubi”, dha për “Shekullin” një intervistë.
Filmi u projektua me ndihmën e Institutit Shqiptar të Medias me qëllimin për të treguar një vepër të lartë humane nga një individ që ka bërë punë këmbëngulëse si gazetar hetues.

I kuptojmë arsyet e Sambathit për ta bërë këtë film. Po juve ç’ju shtyu?
Filmi ka dy producentë, Rob Lemkin dhe Sambathin. Unë jam producenti ekzekutiv, distribuesi i filmit. Robi shkoi në Kamboxhia për të bërë një film për gjyqin e Kamboxhias, ku do të intervistonte Khieu Samphan, presidentin e vendit. Rastësisht takoi Sambathin, gazetarin që ndihmonte të huajt për gjuhën.

Aty Robi zbuloi që gazetari vendas po shkruante një libër dhe kishte krijuar një marrëdhënie me Nuon Chean për shumë vite. U përpoq që ta bindte që të bënin një film së bashku. Sambath u bind kur Robi i tha që nuk kishte ndërmend të bënte një film për Khmer Rouge. Donte ta shihte me sy të ri këtë histori.

Pasi filmi u xhirua, unë ndihmova për distribucionin. Për fat të keq, ndiqja studimet në atë kohë, kështu që nuk isha në xhirime.

A ka pasur probleme për xhirimin në vendet e vrasjeve?

Jo. Por dua t’ju tregoj një fakt interesant. Pasi u bë filmi, kishim një konferencë me dëshmitarët (vrasës) që kishim në film dhe disa që i kishin mbijetuar regjimit në Kaliforni. Folën bashkë rreth 3 orë.

Në fillim të mbijetuarit ishin shumë të shqetësuar, kishin 30 vjet që vuanin, dhe duke folur shumë prej tyre u ndjenë më mirë. Pas kësaj bisede një nga personazhet dëshmitarë u sëmur. Dhe pala tjetër, ata që kishin folur për vuajtjet e tyre, ofruan që të paguanin shpenzimet.

Në fjalën tuaj kuptuam se nuk ushqehet urrejtja e zakonshme për ta…
Personalisht vrasësit m’u dukën karaktere interesantë. Është pak e çuditshme të thuhet nga unë kjo gjë, por sikur më pëlqejnë. Në mënyrën sesi shfaqen. Duken të vërtetë dhe pavarësisht se kanë vrarë tre mijë njerëz. Janë të traumatizuar nga faji i tyre dhe ndjesia që përcjellin, është shumë e vërtetë.

Si u arrit të bindeshin për të folur, sidomos Nuon Chean?

Sambathi, gazetari kamboxhian, është i shkëlqyer për kërkimet që ka bërë për këtë çështje. Është i zoti në marrëdhënie me njerëzit, di t’i bindë për të folur. Me Nuon Chean ishte shumë e vështirë.

Ai e takonte për vite, çdo fundjavë dhe ishte një proces shumë i gjatë derisa arriti të flasë. Po ashtu dhe me të tjerët. Çdo fundjavë, Sambath udhëtonte 6 orë për t’i takuar këta njerëz dhe për të ndërtuar një marrëdhënie me ta. Nuk është se folën sa hap e mbyll sytë.

Ju vetë e keni takuar Sambathin?

Jo, asnjëherë. Por ai dhe Robi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të lidhur.

Si ka reaguar publiku në Kamboxhia pasi është shfaqur filmi?

Filmi nuk është shfaqur në Kamboxhia. Qeveria gjeti disa pretekste për të mos e shfaqur atje. Po në vendet ku është shfaqur kam parë dy tip reagimesh për krimin dhe ndëshkimin. Ekziston gjykimi perëndimor që njerëzit e Kmerit të Kuq duhet të ndëshkohen.

Ka të tjerë, një pjesë e shoqërisë kamboxhiane që mendojnë se gjyqi është problematik dhe ndoshta nuk është mënyra më e mirë që duhet ndjekur. Ata mendojnë që duke qenë se personazhet vetë janë shumë të traumatizuar, ata tashmë janë të ndëshkuar. Kjo nuk do të thotë që njerëzit në Kamboxhia mendojnë që nuk duhet të ketë gjyq fare.

A ka qarkulluar filmi? Jeni të kënaqur?

Po sigurisht. Filmi ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm. Ka fituar çmime në festivale të ndryshme në vende të ndryshme të botës. Ka fituar çmime speciale të jurisë në Festivalin e Sundance-it, një festival shumë i rëndësishëm. Është shfaqur në televizionin amerikan, britanik, izraelit, japonez.

~ Gazeta Shekulli ~ Jorida Pasku | 23/03/2011

http://www.shekulli.com.al/2011/03/23/deshmi-nga-fushat-e-vdekjes.html

Leave a Comment

You must be logged in to post a comment.